Ançeloti ndjen simpati për Vengerin, por nuk do ta kursejë!

Nja 30 vjet më parë, vëllai i ish-yllit të basketbollit europian dhe jugosllav, Drazhen Petroviç, Aleksandri, tregonte një histori. Ishte finalja e parë e Superkupës së Europës, Cibona Zagreb-Real Madrid, Drazhen luante për spanjollin, dhe Aleksandri për jugosllavët. Drazhen do të provonte dy gjuajtje të lira që mund t’i jepnin Realit fitoren, dhe Aleksandri i thotë fshehurazi: Vëlla, mos i shëno, ju do ta fitoni Superkupën në Madrid, por nëse ne fitojmë ndeshjen, do të shpërblehemi mirë”. U duk se Drazheni e dëgjoi vëllanë e madhe, por pastaj i shënoi dy gjuajtjet. Në fund i tha: “Më vjen keq vëlla, por unë nuk di të humbas”.

Edhe Karlo Ançeloti, do t’ia kishte bërë qejfin Arsen Vengerit, duke e ndihmuar me një rezultat pozitiv në Champions, por për fatin e keq të francezit, trajneri i Bajernit nuk është nga ata që di të humbasë. Italiani u shpreh me simpati për kolegun që po kalon kohë të vështira në Londër, por u ndal deri këtu. “Unë jam krah tij në këtë moment, si trajner dhe si njeri, – tha Karleto, – kam shumë respekt pasi jo çdo trajner mund ta bënte atë që ka bërë ai për Arsenalin”.

Gjithsesi, gazetarët vunë re se Ançeloti nuk ka ndërmend të bëjë ndonjë dhuratë, edhe pse Bajerni i tij ka fituar 5-1 në “Alianc Arena”. Në fushë pritet të hidhen futbollistët më të mirë, siç u kuptua nga stërvitja e fundit në “Emirejts”. Riberi, Levandovski, Roben, Myler dhe të gjithë të tjerët ishin titullarë.

Sfidanti.al