Alegri i zemëruar me mediat, me Napolin dhe me Sarrin

Masimiliano Alegri njihet si trajner i sjellshëm dhe i edukuar, por edhe ai tregon herë pas here “dhëmbët”. E mësuam sezonin e kaluar, kur u përplas me ndonjë lojtar, ndërsa në prag të ndeshjes ndaj Napolit, trajneri juventin shkon edhe më tej. Ai nuk ngurron të thotë në mënyrë sfiduese se “ndeshja ndaj Napolit që luhet sot është testi i duhur për Olimpiakosin në Champions, ndeshja më e rëndësishme pasi duhet të shkojmë në turin tjetër”. Megjithë respektin për kampionen e Greqisë, i duhet thënë Alegrit se sot luan ndeshjen më të fortë të sezonit, ndaj kryesueses së Serisë A.

Gjithsesi, trajneri juventin pohon se “Napoli është një ndeshje shumë e rëndësishme, një sfidë shumë tërheqëse, ku duhet të bëjmë një paraqitje të madhe ndaj një kundërshtari që e respektoj shumë”. Alegri është i zemëruar me trajnerin rival, Mauricio Sarri, duke thënë se “ai kërkon të krijojë konfuzion tek ne, por unë nuk do të bie në grackën e tij”.

Diçka edhe për lajmet e supozuara mbi sherret në skuadër. “Do të ishte mirë sikur të kishin ndodhur, pasi ndonjëherë sherret bëjnë mirë, por unë nuk kam dëgjuar gjë, – tha Alegri, – mund të ketë pasur zëra të lartë, por këto ngjajnë në çdo ekip futbolli”. Napoli-Juve luhet sonte në 20:45, me vendasit në krye të Serisë A me 38 pikë, dhe kampionët në vend të tretë, me 34.

Sfidanti.al