Zakonisht para ndeshjeve të tilla nuk thuhet kështu. Trajnerët përgjithësisht bëhen diplomatë ndërsa vijnë duelet me rivalët kryesorë, duke thënë se “nuk do të vendoset titulli këtë herë”. Masimiliano Alegri i Juventusit është ndryshe. “Sfida ndaj Interit vlen për titullin, – thotë ai, – edhe pse kampionati mund të vendoset vetëm në fund. Por, Interi, Roma, Napoli dhe Lacio pritet që të jenë kundërshtarët tanë”.
Alegri vlerëson Interin për “shifrat e çmendura”, për mbrojtjen më të mirë të kampionatit dhe për trajnerin Spaleti, që e quan shumë të zotin. Gjithsesi, thotë se fitorja në Napoli ishte një “hap i vogël përpara”. “Habitem sesi në dy javë po ndeshemi me dy kryesuese të Serisë A, nuk ndodh shpesh”, – qeshi Alegri.
Përsa i përket formacionit, Paulo Dibala mund të jetë në stol, ndërsa e sigurt është (sipas trajnerit) se Xhixhi Bufon nuk luan. “Duhet të vlerësojmë gjendjen fizike të disa prej lojtarëve”, – ishin fjalët e tjera të Masimiliano Alegrit.
Sfidanti.al