Alegri: Çfarë shpjegimesh të jap? Kemi humbur dy ndeshje Championsi!

Momentin e ka të vështirë dhe nuk po arrin ta kapërcejë. Juventusi i Masimiliano Alegrit nuk është aspak skuadra që duhej të ishte dhe këtë e konfirmoi humbja ndaj Benfikës në Champions, më shumë me lojë sesa me rezultat. Në mediat italiane ka kritika dhe hidhen dyshime për vazhdimësinë e teknikut në stol, por Alegri nuk ka ndërmend të hyjë në këto diskutime. “Në këto momente mendoj se ka shumë pak shpjegime që mund të jap, – u shpreh tekniku, – pasi ishim në 1-2 ndeshje thuajse përfundoi sepse ramë shumë në aspektin psikologjik. Tani duhet të mbyllim gojën e të punojmë fort, për t’u ngritur sërish në këmbë. Futbolli ta jep mundësinë që të reagosh dhe të jesh sërish vetvetja, por gjithsesi kemi humbur dy ndeshje radhazi në Champions”.

Sfidanti.al