Kilian Mbapeja ndoshta qendron, ndoshta largohet, dhe në Madrid janë ende të bindur se fjala që do të nxjerrë nga goja do të jetë “Real”. Gazeta “Marka” i referohet qetësisë me të cilën flet dhe luan sulmuesi francez, si dhe fytyrës me më shumë hije sesa dritë të presidentit të Paris SG, Al Helaifi. Sheiku nga Gjiri Persik, dhe aksionerët e tjerë të pasurisë së pamasë nga Katari, kanë bërë gjithçka që klubi francez të jetë në nivelin e të mëdhenjve europianë, dhe skuadra të fitojë trofetë më të shquar. Deri tani nuk ia ka dalë, ndërsa presidenti ankohet se “futbolli duhet të jetë edhe për klubet më të vegjël”. E ka fjalën që PSG nuk ka emrin e Realit, Barcelonës, Bajernit, Liverpulit apo Juventusit, ndërsa “Marka” me të drejtë tallet kur thotë se “këtë e shpreh kreu i një klubi që ka shpenzuar gati 1.5 miliardë euro në 10 vjet (saktësisht 1.445 miliardë) për blerje lojtarësh dhe për rroga, që do të thotë 35 për qind e gjithë Ligës së Parë të Francës”. Me këto shpenzime, Al Helaifi mendon se të paktën një Champions i takon, dhe shpreson ta fitojë këtë vit me Mbapenë dhe Mesin.
Sfidanti.al