Adrion Pajaziti shënon sërish shumë bukur për Fulhamin U21 në Angli!

Është një nga të përzgjedhurit. Adrion Pajaziti vazhdon të mos zhgënjejë, ndërsa i dërgon një sinjal të fortë trajnerit të ri të kiombëtares, Silvinjo. Mesfushori sulmues i Shqipërisë U21 shënoi një gol mjaft të bukur për ekipin e tij, Fulhamin U21, që luan në Premier Ligën e dytë në Angli. Ai shënoi rrjetën e dytë në fitoren 2-1 në fushën e Kristël Palasit, pra në një derbi, ndërsa e ka ndihmuar Fulhamin që të jetë në pozicione të mira në renditje, jo larg kreut. Këtë sezon, Pajaziti ka 2 gola dhe 1 asist në 11 ndeshje, ku ka luajtur në 85 për qind të ndeshjeve dhe mbi tre të katërtat e minutazhit.

I kthyer në ekipet përfaqësuese të Shqipërisë, ai ka qenë kohët e fundit pjesë e Shpresave kuqezi, dhe trajneri Alban Bushi e veçon si një nga futbollistët më premtues të këtij brezi dhe që do t’i bëjë punë kombëtares, aq sa e ka mbiquajtur “Demollari i ri”. Pajaziti 20-vjeçar pret një thirrje nga Silvinjo, i cili e ka në listën e lojtarëve për t’u ndjekur. Natyrisht, gjasat do të ishin edhe më të mëdha nëse shqiptari nga Kosova do të bëhej pjesë e ekipit të parë të Fulhamit në Premier Ligë, diçka që mund të ndodhë edhe këtë sezon.

Sfidanti.al