A do të bëhet gati në kohë Kilian Mbape për Bajernin?!

Nuk i ndodhin shpesh, por nuk është i imunizuar. Edhe një futbollist me nivelin fizik të Kilian Mbapesë ndodh që dëmtohet, dhe 3 vjet pas ndalesës së parë serioze, vjen një tjetër. Ylli i Paris SG nuk u ndje mirë gjatë ndeshjes së mbrëmshme në Ligën e Parë të Francës në fushën e Monpeljesë, dhe sipas lajmeve mediatike, rrezikon të humbasë duelin e madh të Championsit ndaj Bajernit. Pasi humbi një penallti në mënyrë jokarakteristike për të, Mbape nuk mundi të kalonte një problem në kofshë, ndaj edhe doli nga loja që në pjesën e parë. Natyrisht, largimi u bë për kujdes, përderisa afron sfida e Ligës së Kampionëve ndaj bavarezëve në 14 shkurt. Trajneri Kristof Galtie, që foli pas fitores 3-1 të ekipit të tij, u tregua i qetë.

“Me këtë kalendar ndeshjesh që është tepër i ngjeshur, ne nuk duam të rrezikojmë, – tha ai, – Gjithsesi, dëmtimi i Kilianit nuk duket serioz. Mendoj se do të kthehet në kohën e duhur, ndonëse duhet të presim kontrollin mjekësor”. Besohet se Paris SG nuk do ta rrezikojë Mbapenë në tri ndeshjet e radhës në kampionatin francez për të pasur më shumë shanse për Bajernin. Një shqetësim tjetër ishte dëmtimi i mbrojtësit spanjoll, Sergio Ramos, ndërsa fitorja 3-1 jashtë fushe u arrit me golat nga Fabian Ruiz, Lionel Mesi dhe Zire-Emeri, që u bë shënuesi më i ri në historinë e klubit. PSG dhe Bajerni kanë një rivalitet të madh, dhe francezët u kualifikuan dy sezone më parë ndaj bavarezëve, ndonëse në 2020 humbën finalen e Championsit ndaj tyre.

Sfidanti.al