Konkurrimi do të vazhdojë të jetë i fortë. Çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë diskutohen mes ekipeve të Superligës, pasi ata u kualifikuan që të gjithë, duke pasur përballë rivalë të Kategorisë së Parë. Sipas formatit të Kupës, tetë çiftet ishin të ndara në dy grupe, që përcaktojnë edhe shortin për më tej, pasi do të hidhet brenda secilit grup. Në grupin A, Partizani kaloi 3-0 Korabin në stadiumin e tij në qendrën sportive, duke mos pasur probleme edhe pas largimit të Skukës, Bitrit apo Muratajt. Sota, Da Silva dhe Hoti ishin autorët e golave për të kuqtë e trajnerit Kolela.
Po në këtë grup, Tirana mundi 1-0 Lushnjen, ndërsa Kastrioti kaloi pas barazimit 0-0 me Dinamon. Në grupin B, Laçi mundi 2-0 Tomorin duke kaluar turin me rezultatin e përgjithshëm 5-1. Kukësi ia doli 5-0 kundër Apolonisë pas barazimit 0-0 në Fier, ndërsa Egnatia e Skënderbeu e mbyllën 1-1, veçse rrogozhinasit kishin fituar 1-0 në Korçë. Ndeshjet e para çerekfinale luhen në 1 mars dhe kthimi në 15, ndërsa për caktimin e çifteve do të ketë short të lirë mes 4 ekipeve të secilit grup.
Sfidanti.al