Që në fillim duhet ta themi se do ta kemi të vështirë. Shqipëria U21 ka mësuar kundërshtarët në grupin eliminator të Kampionatit Europian të vitit 2025. Shorti i hedhur nga UEFA këtë të enjte në Zvicër e vendosi ekipin Shpresa në grupin E, ku do të konkurrojnë gjithsej 6 skuadra. Rivalët janë Rumania, Zvicra, Finlanda, Mali i Zi dhe Armenia, ndërsa Shqipëria ishte në vazon e katërt. Sipas formatit të eliminatoreve, direkt për në fazën finale kualifikohen vendet e para në grupe, si dhe 3 vendet e dyta me rezultatet më të mira. Gjashtë skuadrat e tjera do të luajnë plej of për të përcaktuar tre finalistët e tjerë. Sllovakia do të kualifikohet direkt sepse është vendi organizator.
Rezultatet ndaj ekipit të vendit të fundit në grup nuk do të llogariten, ndërsa skuadrat favoritë për t’u kualifikuar janë pikërisht Rumania dhe Zvicra, që janë gjithashtu finalistë të Europianit të këtij viti. Ndeshjet në grupe fillojnë në 20 deri në 28 mars të këtij viti dhe përfundojnë në 7 deri në 15 tetor të vitit të ardhshëm. Plej ofi parashikohet të zhvillohet në datat 11-19 nëntor të 2024-ës. Në short nuk ishte Rusia U21, pasi skuadrat ruse janë përjashtuar pas sulmit ushtarak ndaj Ukrainës. Shqipëria U21 doli në vend të parafundit në eliminatoret e Europianit të kaluar, duke lënë prapa vetëm Andorrën e duke u kaluar nga Anglia, Çekia, Sllovenia e Kosova.