Tifozët anglezë kanë “mësyrë” në rrjetet sociale duke bërë shaka e duke u tallur me sjelljen e arbitrit të katërt në ndeshjen Mançester Siti-Totenhem. Ky arbitër, i quajtur Krejg Pouson (Pawson) u duk qartë në fytyrë i mërzitur kur Harri Kejn shënoi golin e tretë për Spërsat në “Etihad”, në një pamje filmike dhe nëpër fotografi që fiksuan edhe reagimin e trajnerëve Pep Guardiola dhe Antonio Konte. Padyshim që i pari u mërzit shumë, ndërsa i dyti u hodh përpjetë nga qejfi. Gjithsesi, qendra e vëmendjes ishte Pousoni, dhe tifozët u tallën duke thënë se “ai u mërzit më shumë se Guardiola”, apo “ai u duk sikur të ishte asistenti i Guardiolës”. Vetë trajneri i Sitit pranoi se gara për titull është e hapur. “E kam thënë sesa e vështirë është të fitohet titulli në Angli, sa vështirë të fitohen ndeshjet, – tha Pepi, – Totenhemi është një ekip shumë i fortë, me trajner shumë të mirë, me lojtarë shumë të mirë. Të gjithë e njohim Harri Kejnin. Ne e kontrolluam ndeshjen, por ata u mbrojtën mirë, dhe në fund nuk ia dolëm të fitonim. Gara vazhdon”.
Sfidanti.al