Për fat, Mbapesë nuk i duhen taka në krah të së dashurës

“Flaka” e tij u zbulua nga ata që digjen nga dëshira të dinë se çfarë ka në shtëpinë e tjetrit, dhe nga ata që fitojnë paratë për të furnizuar të parët me thashetheme. Shkurt muhabeti, u mor vesh se cila është e dashura e Kilian Mbapesë. Bota e “plakave të Korçës” u pasurua me të bukurën Alisia Ajles, pasi ishte marrë prej shumë kohësh me Irina Shajikun e Georgina Rodrigezin, me Shakirën apo me Antonela Rokuzon.

Alisia u pikas në Kupën e Botës duke mbështetur Francën në Rusi, ndërsa njihet mirë pasi fitoi konkursin Mis Franca në 2017, duke marrë pjesë në Mis Universi. Vajza e bukur dhe me linja të përsosura, është vetëm pak muaj më e madhe se shoku i saj, ka lindur në prill 1998, ndërsa Kiliani në dhjetor të atij viti.

Një femër e gjatë, plot 1 metër e 77 centimetra, ajo ka bërë të duken xhuxhmaxhuxhë në krah të saj, personalitete të tilla si Tom Kruiz apo presidenti i Francës, Makron. Për fat, Mbape është thuajse njëlloj si ajo, 1.78 metra, pra nuk ka nevojë të veshë taka për t’i qendruar në krah.

Sfidanti.al