PSG e miliardave, larg PSG-së së Zhorzh Ueasë në 1995!

Nejmari dhe Kilian Mbapeja e asaj kohe ishin David Zhinola e Zhorzh Ueah, ndërsa skuadra ishte më hijerëndë në Europë sesa sot. Paris SG mund t’ia ketë vendosur “këmbën në fyt” ligës franceze prej shumë vitesh, por Championsi mbetet iluzion, shumë më tepër sesa në “annus mirabilis” 1995. Skuadra e asaj kohe (sezoni 1994-1995) arriti në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, me një ecuri fantastike, duke u dorëzuar vetëm përpara Milanit të madh të Fabio Kapelos. Gjashtë ndeshje e gjashtë fitore në grup (dy suksese ndaj Bajernit) dhe eleminim i Barcelonës në çerekfinale.

Trajneri i sotëm, Tomas Tuhel, pranon se PSG-ja e tij nuk është aq e fortë sa ajo që kishte në përbërje edhe Rikardon, Pol Lë Genin, Vinsent Guerenin, Daniel Bravonë, Valdon, Rain e të tjerë. “Nuk jemi kompaktë sa duhet, – thotë trajneri gjerman, – dhe nëse nuk je kompakt, nuk mund të kemi identitetin tonë dhe të përballojmë ndeshjet e vështira. Duhet të përmirësohemi”. Barazimi 2-2 ndaj Napolit, pas humbjes 2-3 në Liverpul, treguan limitet e skuadrës për të cilën janë shpenzuar qindra milionë euro.

Sfidanti.al