Këta mund të jenë futbollistë vërtet të mëdhenj, vërtet të talentuar dhe njerëzit mund të shpenzojnë për t’i parë në stadium apo nëpërmjet televizorit. Gjithsesi, këta nuk janë njerëz si të tjerët, jo si njerëzit e zakonshëm, pasi pikërisht ky sistem që ata kanë krijuar dhe që i ka krijuar, i bën të tillë. Roberto Firmino, braziliani i Liverpulit, i bleu një Porshe Kajenë (Porsche Cayenne) gruas së tij Larisa për ditëlindje. Natyrisht, Firmino nuk është “specie” e rrallë, pasi shumica e futbollistëve veprojnë kështu, edhe pse ndoshta jo të gjithë i shpërndajnë fotot në Instagram.
Një njeri i zakonshëm, siç mund të jem unë apo çdo lexues i këtyre rreshtave, do ta bënte të lumtur gruan apo të dashurën duke i blerë një palë xhinse, një pulovër apo një xhup, apo ndoshta një tufë me lule, por Firmino me shokë do të rrudhnin hundët nga kjo gjë “e rëndomtë”. Sidoqoftë, ne mund t’i kujtojmë këtyre Firminove vargjet e Bob Marlit, në këngën e tij të pavdekshme, “Grua mos qaj” (Ëoman No Cry), “Unë mbaj mend kur uleshim në një park në Trençtaun/dhe vagabondi na ndizte zjarrin/drurët digjeshin nëpër natë/dhe ne gatuanim purenë tonë të misrit/të cilën unë e ndaja me ty”!
Pse jo, t’i kujtojmë edhe historinë e legjendës spanjolle të portës, Zamorës, kur ishte trajner i Espanjolit dhe vizitoi Beogradin në një ditë dimri me dëborë, për të luajtur ndaj Zvezdës. Në kthim, në një autobus linje, pranë Zamorës së madh ishte ulur një plak i vogël me një bohçe në dorë. Nga ajo bohçe nxorri bukë dhe djathë, por përpara sesa të hante vetë, ia zgjati Zamorës dhe i tha: Merr! Zamora e quajti këtë moment “pritjen më të vështirë të jetës sime”.
Sfidanti.al