Perëndimi ka kohë që Krishtlindjet i ka kthyer më shumë në një festë njerëzore sesa fetare. Pavarësisht se çfarë ndodh nëpër kisha, njerëzit kënaqen shumë më tepër që kanë një rast për t’u argëtuar “ndryshe”, për t’u veshur me kostumin e Babagjyshit që sjell dhurata, për të bërë dhurata për miq e shokë dhe për fëmijët, si dhe për të shkelur rutinën e përditshme, pra për t’u mbledhur me orë të tëra, për të biseduar e bërë shaka, për të ngrënë e për të pirë.
Në futbollin anglez, Krishtlindjet janë edhe festë, edhe punë. Kalendari është i ngjeshur deri pas Vitit të Ri, pikërisht sepse njerëzit kanë më shumë pushime dhe ndjejnë më shumë dëshirë të shpenzojnë. Yjet e futbollit zakonisht e kanë edhe ata festën e 25 dhjetorit, por pa e tepruar tërësisht. Këtu në foto shihen futbollistët e Arsenalit në një nga festat e fundit, të veshur në mënyrën më të shpenguar dhe me gjetjet që u kanë pjellë në mendje. Më pas, vijnë ndeshjet e forta.