Kur një lojtari të madh i mbeten më pak se 2 vjet kontratë me klubin e tij, kjo është një shenjë e qartë se ai nuk është shumë i kënaqur. Kjo formulë i shkon edhe futbollistit më të pangjashëm të epokës së fundit, Lionel Mesit, i cili nuk ka nisur ende bisedimet me drejtuesit e Barcelonës, ndonëse kontrata e tij e tanishme përfundon në qershor të vitit 2018. Presidenti Zhozep Bartomeu ka deklaruar qartë dhe prerë se synon ta bëjë Mesin lojtarin më të paguar në botë, dhe se akordi do të arrihet në mars të vitit të ardhshëm. “Ai është një katalanas më shumë”, – tha Bartomeu.
Gjithsesi, Barça-Mesi, binomi që dukej i pandashëm, “vëllezërit siamezë”, mundet edhe të ndajnë rrugët. Ende nuk mund të thuhet se kjo do të ndodhë, madje gjasat janë që kontrata të rinovohet, por asnjëherë nuk ka ndodhur që një lojtar i një kalibri të tillë ta vonojë klubin kaq shumë. Ka diçka që nuk shkon, ndërsa është e qartë se Mesi nuk e ka ndjerë veten aq mirë në “Kamp Nou” që pas largimit të ish-presidentit Zhoan Laporta këtu e 4 vjet më parë. Variantet e mundshme të së ardhmes janë rinovimi me Barçën, shkuarja tek Mançester Siti i Guardiolës sezonin e ardhshëm, apo kalimi në kampionatin kinez, ku do të ishte padiskutim i peshuar në flori.
Sfidanti.al