Vaterpolistët legjendarë serbë, Sllobodan Nikiç dhe Zhivko Gociç, i dhanë,
dje, lamtumirë zyrtare sportit, kështu që, për nder të tyre, në pishinën
kryesore të Beogradit, u luajt një ndeshje ekzibicioniste mes ekipit kombëtar
të Serbisë dhe një ekipi përfaqësues të botës. Në këtë spektakël morën pjesë
edhe emra të tjerë të njohur nga sporte të tjerë, por qershinë mbi tortë e
vendosi vetë Nikiçi me një veprim atraktiv të tij që nuk ishte parë deri tani
në sportin e vaterpolos. Në fund të ndeshjes, gjatë ekzekutimit të penalltive, për
të përcaktuar fituesin e saj, ai e gjuajti topin me këmbë, duke e nxjerrë atë
sipër ujit, dhe shënoi një gol jashtëzakonisht të efektshëm.