Mund të pagëzohet si “dasma maratonë”, ngaqë në të gjithë muajt e vitit lexon për datën dhe muajin e martesës së moderatores bukuroshe, Marina Vjollca, me këngëtarin dominues në skenën e hip-hop-it, Getoar Selimi. Zakoni nuk ndryshoi edhe këto ditë, kur lajmi premtohej sikur të ishte 24 karatësh : “Marina dhe Geto do të martohen më 16 nëntor. Ja dhe detajet..”
Ai që përgënjeshtron lajmin quhet Eduard Manushi, i cili bashkë me Marinën, krijon binomin më të dashur në median sportive, aq sa thuhet se futbolli nëpërmjet tyre fsheh hallet, dhe shfaqet më i rëndësishëm se sa është në realitet.
Manushi, zakonisht një tip shpërfillës ndaj lajmit “bombë” apo thashethemit të vitrinës, këtë herë ka prishur letargjinë: “ Kam folur me Marinën dhe me njerëzit e familjes së saj dhe rezultoi se ishte vetëm një flluckë sapuni. Kjo dasmë është shndërruar në një loje fantazie. Sa herë që “martohen” Marina dhe Geto në media të ndryshme, pyes gruan: “ Po ne, a ishim në dasmë? Mos u mundoni të gjeni datën apo muajin e dasmës, se është si një skedinë e pakapshme”.