Me një thikë.. në zemër të napoletanëve! Kur plaga e largimit të Higuain nga Napoli, akoma ishte e gjakosur, sulmuesi e ka acaruar më shumë shpirtin e qytetit. Goli deçiziv në ndeshjen Juventus- Napoli 2-1, tregoi se ishte iluzion ideja se Pipita nuk shënon në ndeshjet që kanë peshë. Por, jo vetëm kaq, por edhe trajneri Alegri futi në xhep fitoren e parë sezonale në një takim direkt me Napolin.
Një ndeshje shumë e ekulibruar është mbyllur me një goditje të pastër të argjentinasit, me këmbën e majtë, magjinë e së cilës nuk e njihnin mirë në Napoli, bile thonin me ironi se “ajo është këmba më e sinqertë e sulmuesit”.
Një ndeshje me pak raste , fati i së cilës u duk i paracaktuar kur goli i Hamçik barazpeshoi rezultatin, por jo forcat në fushë. Juventusi demonstroi efikasitetin e një skuadre të madhe, të aftë të fitojë edhe kur nuk ka veshur rrobën më të mirë nga dollapi..atë të princeshës.