Joana Sanz, bashkëshortja e Dani Alves dhe tre miqtë e futbollistit, mbështetën versionin më të fundit të dhënë nga braziliani, se ai ishte i dehur natën e 30 dhjetorit 2022, kur një e re 23-vjeçare e akuzon se e ka përdhunuar. Është versioni i fundit i ndryshuar disa herë nga Alves, i cili fillimisht mohoi njohjen e viktimës si një strategji mbrojtëse për të marrë rrethana lehtësuese në rast dënimi. Joana Sanz, e martuar me Dani Alves që nga viti 2017, deklaroi gjithashtu si dëshmitare mbrojtëse, duke iu përgjigjur pyetjeve të avokates mbrojtëse të futbollistit, Ines Guardiola, se “ligjërisht” nuk është divorcuar nga bashkëshorti. Modelja, raporton agjencia Efe, ka shpjeguar se më 30 dhjetor futbollisti e kaloi ditën me miqtë në një restorant dhe se ajo besonte se do të kthehej për darkë, por ai u kthye vetëm në orën 4 të mëngjesit, “shumë i dehur dhe me erë alkooli”.
Kur hyri në dhomën e gjumit, ai u rrëzua mbi shtrat, kështu që ajo nuk ishte në gjendje të fliste me të. Dhe, të nesërmen, bashkëshorti i saj “u zgjua shumë vonë” dhe i tha se kishte qenë duke festuar me miqtë në një restorant, duke lënë jashtë se kishte qenë në klubin e natës Sutton. Ndër dëshmitarët e tjerë që mbështetën versionin e gjendjes së dehjes është edhe Bruno, një brazilian, mik i Alves, i cili ishte gjithashtu me të atë natë në disko dhe kur u arrestua futbollisti. Dhe dy miq të tjerë konfirmuan se kampioni brazilian 40-vjeçar kishte pirë “shumë alkool” atë natë, aq sa preferuan që ai të mos drejtonte makinën. Joana Sanz vizitoi disa herë bashkëshortin e saj në burgun “Brians 2” (Katalunjë), i cili është mbajtur në paraburgim që nga janari 2022 për shkak të rrezikut të arratisjes. Nëna e Alves, Lucia, gjithashtu u paraqit në gjykatë për të mbështetur djalin e saj. Javët e fundit, gruaja ka postuar një video në rrjetet sociale me pamjet e vajzës 23-vjeçare, e cila denoncoi përdhunimin, duke zbuluar identitetin e saj. Për futbollistin 40-vjeçar prokuroria ka kërkuar 9 vite burg si dhe 150 mijë euro për dëmshpërblimin e viktimës. Gjyqi, i cili do të përfundojë të mërkurën me deponimin e Dani Alves, sheh 22 dëshmitarë, përfshirë dhe Robert Massanet, menaxherin e klubit të natës Sutton, ku ndodhi ngjarja natën midis 30 dhe 31 dhjetor 2022.
sfidanti.al