Padyshim ai është një nga transferimet më të mëdha të Premier Ligës. Nuk diskutohet që është ndër më të goditurat të bëra pa shpenzuar asnjë paund stërlinë. Mançester Junajtid e mori verën e kaluar Zllatan Ibrahimoviçin, ndërsa suedezit i përfundonte kontrata me Paris SG, dhe që nga ajo kohë gjigandi i futbollit ka shkëlqyer si pak të tjerë.
Me 24 gola në 36 ndeshje, Ibra padyshim është ndër lëvizjet më të gjetura të Zhoze Murinjos, sipas mediave dhe specialistëve në Angli. Në moshën 35-vjeçare ai ka qenë vendimtar për “djajtë e kuq”, dhe pritet që të zgjasë kontratën edhe për edicionin tjetër.
Mediat e vlerësojnë transferimin e Ibrahimoviçit me atë të disa prej lojtarëve të shquar që u morën pa asnjë kosto. Të tillë ishin Sol Kempbëll që kaloi nga Totenhemi tek Arsenali, Rudi Gulit që shkoi nga Sampdoria tek Çelsi, Xhanluka Viali nga Juventusi tek Çelsi, Geri Mekallister nga Koventri tek Liverpuli apo Xhei Xhei Okoça nga Paris SG tek Boltoni.
Sfidanti.al