Zbulohen prapaskenat, ja pse Broja u transferua te Fulham

Armando Broja transferohet te Fulham, me formulën e huazimit deri në fund të sezonit, për shifrën e 4 milionë eurove. Sulmuesi 22-vjeçar shqiptar kaloi një të enjte mjaft intensive, teksa kalimi nga Chelsea te klubi tjetër londinez u vendos vetëm në orët e fundit të merkatos. Emri i Brojës u shndërrua në një telenovelë të vërtetë gjatë muajit janar, teksa disa e fundit e bëri edhe më interesante garën për shërbimet e sulmuesit shqiptar. Fulham e Wolves në Premier League, por edhe Milan e Atletico Madrid, paraqitën zyrtarisht ofertat për të marrë sulmuesin kuqezi në huazim deri në fund të sezonit, teksa SuperSport mëson edhe prapaskenat e bisedimeve, që në fund sollën kalimin e Brojës te klubi londinez. Krahas Fulhamit e Wolvesit që punonin prej ditësh, spanjollët e Atleticos së Madridit shfaqën zyrtarisht interes për sulmuesin mëngjesin e kësaj të enjteje, duke qenë se dështuan të marrin italianin Moise Kean nga Juventusi. Megjithatë Chelsea refuzoi shpejt ofertën për shkak të raporteve jo të mira me klubin madrilen dhe trajnerin Simeone. Me kalimin e orëve në garë hyri edhe Milani, një klub që ka shfaqur interes të vazhdueshëm për Brojën dhe vetë sulmuesi kuqezi dha miratimin për transferimin në Milano. Por edhe kjo pistë ra shpejt, pasi kuqezinjtë kërkonin ta merrnin Brojën në huazim, pa paguar asnjë tarifë ekstra, përveç pagës së tij deri në fund të sezonit.

sfidanti.al