Vllaznia “tremb” Partizanin me sulmin e frikshëm

Një nga sfidat më të rëndësishme të javës së 12-të të Abissnet Superiore është ajo mes Partizanit dhe Vllaznisë kryesuese. Kjo ndeshje do të luhet ditën e diel në “Arena e Demave”, në orën 16:30. Për shkodranët e vendit të parë do të jetë një provë e rëndësishme. Partizani, edhe pse larg pritshmërive këtë sezon, vjen nga fitorja në Durrës ndaj Teutës dhe kërkon vazhdimësinë në fushën e vet.

“Armatës” së trajnerit Edi Martini këtë i javë i shtohet edhe sulmuesi Çarls Bismark, i cili iu bashkua Vllaznisë në fundin e merkatos së verës nga Skënderbeu. Ganezi ka munguar për shumë javë për shkak të problemeve fizike dhe tashmë duket plotësisht i gatshëm për të zënë një vend përkrah goleadorit Bekim Balaj.

Edhe nëse nuk e nis ndeshjen e së dielës nga minuta e parë, sulmuesi shtatlartë do të jetë një alternativë e mirë për trajnerin Martini në stol. Shkodranët kanë sulmin më të mirë të kampionatit aktualisht, me 18 gola të shënuar, të shkëputur ndjeshëm nga rivalët në këtë aspekt.

Partizani në anën tjetër ka një deficit golash të theksuar, -8, por mund të shpresojë prej faktit se në ndeshjen e fundit arriti të shënonte tri herë.

sfidanti.al