Vllaznia reagon pas incidenteve: Siguri absolute në ndeshjen e kthimit

Klubi i Vllaznisë ka reaguar pas incidenteve të ndodhura në ndeshjen e parë të Conference League, atë me Valur të luajtur në Reykljavik(Islandë) të enjten në mbrëmje dhe që u mbyll në barazim 2-2. Me një deklaratë të shpërndarë në media, klubi kuqeblu ka bërë të ditur se në ndeshjen e kthimit siguria do të jetë absolute dhe se distancohet nga çdo shfaqje antisportive e evidentuar në stadiumin “Hlíðarendi”.

Postimi i klubit:

Klubi i Futbollit Vllaznia, presidenti Alban Xhaferi dhe të gjithë drejtuesit e tjerë distancohen nga çdo shfaqje antisportive e ndodhur në shkallët e stadiumit “Hlíðarendi” Rejkjavik, Islandë, duke dënuar me forcë çdo veprim që cënon integritetin e garës. Në asnjë rast nuk mund të marrim përgjegjësi për sjelljet individuale që cënojnë rregullat e UEFA-s të çdo tifozi të pranishëm në stadium për të cilat organizatorët e kësaj ndeshje, klubi pritës, duhej të kishte marrë të gjitha masat për zhvillimin normal të një ndeshje futbolli. Megjithatë ekipit të Vllaznisë nuk i është dhënë asnjë biletë për mbështetësit e saj të cilat kanë qenë të aksesueshme vetëm online! Drejtuesit e Vllaznisë distancohen në mënyrë të hapur dhe të qartë nga ngjarje të tilla që nuk kanë lidhje me futbollin dhe po bashkëpunojnë ngushtësisht me organet përgjegjëse në UEFA për të kontribuar në hetimin objektiv të këtyre shfaqjeve që dëmtojnë imazhin e futbollit. KF Vllaznia ashtu si në të gjitha ndeshjet ndërkombëtare të organizuara, garanton sigurinë absolute në ndeshjen e kthimit në Shkodër duke krijuar të gjitha kushtet e nevojshme për “fair-play” në fushë dhe në shkallët e stadiumit “Loro Boriçi”.

sfidanti.al