Virc është rekordmeni i moshës së golave, por trajneri e kritikon!

U desh pasditja e së shtunës që të kalohej një cak, të kapërcehej një “gur kilometrik” dhe që Bundesliga të mësonte një emër të ri. Sesa hero do të jetë në të ardhmen, Florian Virci, kjo varet nga vetë ai, por edhe nga fati, ndërsa për momentin mund të gëzohet me titullin e golshënuesit më të ri në historinë e kampionatit gjerman, vetëm 17 vjeç e 34 ditë. Gjithsesi, trajneri i Leverkusenit, Peter Bosh, pati edhe fjalë kritike për adoleshentin.

“Ky djalë mori leksionin më të mirë që kur nisi futbollin, – u shpreh tekniku holandez, – ai gjithmonë e humbi topin në tre-katër kontaktet e tij të parë me sferën. Gjithsesi, ai është një lojtar i ri dhe inteligjent. Ai e pranon këtë dhe e kupton se ka shumë për të mësuar, sepse ka shumë pak kohë në Bundesligë”. Përsa i përket rekordmenëve, përpara Vircit ishte Nuri Shahini i Dortmundit. Ai ishte 17 vjeç e 82 ditë kur shënoi për Dortmundin në 2004-2005 ndaj Nyrembergut, duke qenë më i riu golshënues në historinë e Bundesligës, deri të shtunën pasdite.  Dortmundi ka numrin më të madh të lojtarëve të rinj, nën 18 vjeç, që kanë shënuar në Bundesligë, 6 nga 16, të tillë si Ralf Augustin, Mark Andre Krushka, Ibrahim Tanko, Lars Riken, Kristian Pulishiç dhe Nuri Shahin.

Sfidanti.al