Racizmi në La Liga? Zezakët e të gjithë ekipeve e dinë përgjigjen!

“Sporti është gjuha “esperanto” e të gjitha racave”! Kështu është shprehur dramaturgu i shquar francez, Zhan Zhirodu (Giraudoux), veçse edhe sportit i duhet kohë që të kthehet në një gjuhë të përbashkët. Një specialist i njohur, Salvador Rodrigez Moja, shprehet për gazetën “Marka” se ka biseduar me lojtarë me ngjyrë të çdo ekipi në La Liga, dhe se për të gjithçka është e qartë. “Shumica e tyre thonë se racizmi ekziston, edhe pse mund të thuhet se deri diku kontrollohet, por nuk është një plagë e shëruar, është problem më i madh sesa kujtojmë”, – deklaroi Moja. Nëse vetë futbollistët e trajnerët janë më pak (ose aspak) racistë, sepse jetojnë e punojnë me njëri-tjetrin, është ndryshe për një pjesë të tifozëve që mbartin paragjykimet e shoqërisë. Ndodh që këta tifozë të dalin edhe kundër lojtarëve të tyre që janë me ngjyrë. Shqetësimi më i madh i Mojës është që lufta ndaj racizmit bëhet “me aksion”, pra kur ndodh ndonjë ngjarje e rëndë, si vrasja e Xhorxh Flojdit në SHBA, ndërsa më pas lihet pas dore.

Sfidanti.al