Më në fund, Solskjeri i ka që të dy, Pogbanë dhe Fernandesin!

Vendosi t’i vinte përballë njëri-tjetrit, për të provuar forcën e dy ekipeve të Mançester Junajtidit, por kryesorja për të ishte që i pati në dispozicion. Pol Pogba bëri kthimin nga dëmtimi, në radhët e “djajve të kuq”, edhe pse thjesht në një miqësore në “Old Traford”, ndërsa afron rifillimi i Premier Ligës. Ylli francez, shpesh i vlerësuar si një nga mesfushorët më të mirë të botës, kaloi problemet fizike dhe shpresohet të ndihmojë Junajtidin që të kualifikohet për në Champions sezonin e ardhshëm.

Pogba e Bruno Fernandes ishin të dy me fanelat e skuadrës, edhe pse të ndryshme, pasi francezi e pati të kuqe, dhe portugezi ngjyrë qumështi. Dy lojtarët më të diskutuar të Mançesterit ishin më në fund, në të njëjtën kohë së bashku në fushë. Pyetja është nëse ky partneritet do të vazhdojë edhe sezonin e ardhshëm, pasi Pogba besohet se kërkohet nga Reali apo Juventusi, dhe shpesh është thënë se ai dëshiron të largohet. Me dy lojtarë të tillë, Junajtidi forcohet shumë, dhe do të ishte sukses për trajnerin Solskjer që t’i mbante që të dy.

Sfidanti.al