Vedat Muriqi pritet të marrë shiritin e Kosovës

Vedat Muriqi pritet të jetë kapiteni i ri i Kosovës pas largimit të Amir Rrahmanit. Sulmuesi 32-vjeçar është një prej figurave kryesore të “Dardanëve” dhe tashmë pritet të marrë një tjetër përgjegjësi në përfaqësuese. Muriqi është golashënuesi më i mirë në historinë e Kosovës, me 32 gola në 68 paraqitje, ndërsa nuk është i panjohur me shiritin e kapitenit, pasi e ka bartur atë tetë herë në mungesë të Rrahmanit.

Sulmuesi debutoi me Kosovën më 9 tetor 2016 në përballjen ndaj Ukrainës, në moshën 22-vjeçare, dhe që nga atëherë është shndërruar në një prej liderëve kryesorë të përfaqësueses. Muriqi është gjithashtu i dyti për nga numri i paraqitjeve me Kosovën, me 68 ndeshje, ndërsa më shumë ka vetëm Mërgim Vojvoda, i cili numëron 75 paraqitje me “Dardanët”. Vojvoda pritet të jetë opsioni i dytë për kapiten, ndërsa në hierarki ndodhet edhe Milot Rashica. Ky i fundit ka 64 paraqitje dhe 12 gola me Kosovën, duke qenë një tjetër prej lojtarëve më me përvojë. Të tre janë lojtarët mbi 30 vjeç që aktualisht janë pjesë e grumbullimit të Kosovës. Pas largimit të Rrahmanit, Muriqi pritet të udhëheqë një brez të ri të përfaqësueses, në një periudhë të rëndësishme për “Dardanët”, të cilët kanë katër ndeshje në Ligën e Kombeve brenda vetëm dhjetë ditësh.