Valensia ishte pasuria e Ekuadorit që i dha fitoren ndaj Katarit!

Fitoi ekipi udhëtues dhe humbi skuadra vendase, e ky ishte përfundimi i ndeshjes së hapjes në Kupën e Botës. Ekuadori ia doli fare thjesht 2-0 ndaj Katarit në sfidën e parë të turneut me dy golat e shënuar në pjesën e parë nga Ener Valensia. Mediat shkruajtën me të drejtë se përkundër pasurisë përrallore të shpenzuar nga sheikët vendas, Ekuadorit i mjaftoi një pasuri e vetme, sulmuesi 33-vjeçar që vulosi rezultatin. Një herë me penallti dhe një herë me kokë, ai vendosi drejtësinë, ndërsa ekuadorenëve iu anulua një gol që në fillim për pozicion jashtë loje.

Katari reagoi pas pushimit dhe krijoi disa mundësi, por ishin tepër pak dhe u kuptua se skuadra e vendit organizator nuk e ka cilësinë që kishin organizatorët e mëparshëm si Rusia, Japonia e Koreja e Jugut apo edhe Afrika e Jugut. Ekuadori u detyrua ta zëvendësonte Valensian gjysmë orën e fundit me shqetësimin se mund të dëmtohej, dhe me të drejtë thuhet se nga gjendja e tij fizike varet ecuria e skuadrës në Botëror. Veterani ka 5 gola në 4 ndeshje në kupat e botës deri tani.

Sfidanti.al