Një ndeshje që të vjen keq që e barazon. Ishte i saktë trajneri i kombëtares shqiptare të femrave, Armir Grima, në përfundim të sfidës ndaj Maltës. Kur humbet kaq shumë raste, vështirë të mendosh se mbyllja do të jetë pa gola, ndërsa Shqipëria humbi një rast për të marrë fitoren e dytë radhazi në grupin paraeleminator të Kupës së Botës.
Pak orë pasi Greqia mundi 6-0 Kosovën në “Selman Stërmasi”, vajzat kuqezi dolën në fushën e “Elbasan Arenës” me bindjen se mund t’ia dilnin. Atë që besonin, e realizuan në fushë me përjashtim të momentit kur duhej ta kishin dërguar topin në rrjetë. Velaj, Doçi, Gjini, Hashani, Krasniqi apo Franja u përpoqën fort, por fati dhe qetësia nuk ishin me to.
Epërsia, sidomos në pjesën e parë, ishte absolute, me vajzat nga Malta që bënë shumë pak dhe vetëm në minutat e para. Pas pushimit, lodhja ndikoi dhe loja e Shqipërisë ra disi. Nga kjo përfituan kundërshtaret që arritën të godisnin edhe shtyllën, por këtë herë fati ishte me ne. Në minutat e fundit, skuadra e trajnerit Armir Grima u hodh përsëri në sulm në kërkim të një fitoreje të merituar të cilën nuk e arriti dot. Ndaj Greqisë, ndonëse do të jetë shumë e vështirë, do të kërkohet fitorja, për të arritur kualifikimin.