Uzuni, Çekiçi e Memushaj, janë ditë golash kuqezinj në Europë!

Kombëtarja i pret pikërisht të tillë dhe besohet se nuk do të zhgënjejnë. Futbollistët shqiptarë po kalojnë ditë të mira nëpër kampionatet europiane, duke shënuar edhe gola të rëndësishëm. Në Kroaci, këtë e bëri sulmuesi Myrto Uzuni, i cili padyshim që mund të quhet pjesë e kombëtares, edhe pse nuk është aktivizuar kohët e fundit. Beratasi realizoi në fitoren 3-0 të Lokomotivës së Zagrebit ndaj Slavenit të Belupos.

Uzuni ka një sezon shumë të mirë me 7 rrjeta deri tani në 24 ndeshje, dy më pak se shqiptari i Kosovës, Lirim Kastrati, që ka shënuar 9 për Lokomotivën. Skuadra e kryeqytetit është në vendin e 4-ët në Ligën e Parë të Kroacisë, shumë pranë kualifikimit për në Ligën e Europës, ndërsa e ndajnë vetëm 2 pikë nga Hajduku i vendit të dytë.

Gol shumë të bukur edhe Endri Çekiçi pak më në veri, në Slloveni. Mesfushori sulmues realizoi direkt nga goditja e dënimit në fitoren që Olimpija e Ljubljanës arriti ndaj Aluminijit me shifrat 2-1. Edhe Çekiçi po kalon një formë shumë të mirë këtë edicion me 9 rrjeta, por edhe me shumë asistë duke ndihmuar skuadrën e kryeqytetit. Olimpija është në vendin e parë me 47 pikë pas 24 ndeshjesh, dhe ka shanse të mira për të fituar titullin kampion, në garë ndaj Mariborit dhe Aluminijit.

Gjithsesi, goli më i bukur shqiptar këtë fundjavë në Europë i takon Ledian Memushajt. Mesfushori i kombëtares i dha fitoren skuadrës së tij, Peskarës, në ndeshjen e javës në Serinë B të Italisë ndaj Askolit. Ai vulosi shifrat 2-1 me një realizim prej mjeshtri.

Sfidanti.al