UEFA ul numrin e biletave për tifozët e skuadrave pjesëmarrëse

Në një njoftim të fundit, shtëpia e futbollit evropian, UEFA bëri të ditur se do t’i caktojë çdo kombëtareje saktësisht 10 mijë bileta për çdo ndeshje në fazën e grupeve. Ky vendim zbatohet pavarësisht se në cilin stadium do të zhvillohet ndeshja dhe cilat janë kapacitetet e tij. “Këto bileta do të shpërndahen sipas mënyrës që çdo federatë përkatëse zgjedh t’i shesë biletat për tifozët e saj. Për më shumë informacione, tifozët mund të vizitojnë faqen e dedikuar të skuadrave në EURO2024.com/tickets“, thuhet në komunikatën e UEFA-s. Për ata tifozë që nuk arritën të plotësojnë kriteret e vendosura nga federatat e tyre përkatëse, ose nuk mbështesin një skuadër të caktuar, UEFA ofron një mundësi alternative. Ata inkurajohen të aplikojnë përmes një lotarie publike në EURO2024.com/tickets, nga tani e deri më 12 dhjetor. Vendimi i UEFA-s për biletat mund të jetë një zhgënjim për disa, por gjithashtu paraqet një mundësi për tifozët pa përkatësi specifike për të qenë pjesë e atmosferës së jashtëzakonshme që pritet të mbizotërojë në stadiumet e ndryshme të Gjermanisë gjatë “Euro 2024”.

sfidanti.al