Tre largimet që dobësuan Egnatian

Kur janë zhvilluar 13 javë nga ky edicion i Kategorisë Superiore, kemi mundësinë të bëjmë një rezyme mbi boshllëkun që kanë lënë largimet e verës dhe kontributin që po japin afrimet. Në tërësi mund të themi se lojtarët e ardhur nga merkatoja nuk po arrijnë të mbulojnë hapësirat e lëna nga të larguarit. Egnatia në verë arriti të finalizojë transferime mjaft të bujshme me lojtarë me emër në vendin tonë, por mund të themi se niveli nuk është i njëjti. Të vetmit që mund të themi se “kalojnë klasën” janë Lushkja dhe Alijev. Kavajasi ka arritur të shënojë 3 gola, pavarësisht se paraqitjet nuk kanë qenë në nivelin e pritshëm, ndërsa mbrojtësi Alijev ka luajtur titullar një pjesë të madhe të ndeshjeve.

Më shumë pritej nga emra si Ujka, Vuthaj apo Bakajoko, të ardhur për të mbajtur peshën kryesore të ekipit. Mesfushori ka shënuar vetëm një gol, por duket mjaft i vakët në përfshirjen në lojë deri më tani. Vuthaj është larguar tashmë si një transferim jo i goditur, teksa dëmtimet e kanë ndalur Bakajokon. Edhe për Kasën vlen e njëjta gjë, teksa Jahaja nuk po e tregon veten. Largimet më me peshë në verë ishin tre: Montenegro, Fernando dhe Ibrahimoglu. Të tre këta lojtarë ishin “motori” i lojës sulmuese dhe të ardhurit nuk kanë arritur të bëjnë që emrat e tyre të mos përmenden më.

sfidanti.al