Trajner është vetëm një, tifozë jemi të gjithë!

Kombëtarja ka mbyllur punën përgatitore në Austri dhe në rrugëtimin drejt Gjermanisë merr me vete disa siguri edhe pse është shumë herët për të dalë në përfundime nëse ky grup mund të bëjë edhe një hap më të madh nga ajo që kuqezinjtë arritën në Euro 2016. Pas sfidës së parë me Italinë mund të dalin të gjithë për përfundimet e tyre por këtë nuk mund ta bëjmë më tani që Sylvinho e ka kristalizuar formacionin në kokën e tij.

Ne jemi tifozët dhe ka ardhur momenti që Kombëtaren Shqiptare në këtë aventurë të veçantë ta mbështesim, shijojmë dhe jetojmë, për të drejtuar fijet dhe shkruar skenarin të gjithë kemi rënë dakort që regjisor të jetë ai, braziliani që si futbollist dinte ta bënte shumë mirë punën  e tij dhe sot si trajner na ka treguar se është po aq i aftë, ndoshta edhe më shumë, por këtë do ta tregojë Euro 2024.

Nga Pirro Bardhyli