Totenhem-Juve, anglezët përballë dyshes Dibala-Higuain

Masimiliano Alegri ka shumë besim me skuadrën e tij që i ka thuajse të gjitha forcat në dispozicion. Gonzalo Higuain u stërvit me shokët dy ditët e fundit dhe mendohet që është në formën e duhur, ndërsa Paulo Dibala luajti më në fund ndaj Lacios (shënoi gol), dhe pas saj pushoi siç duhet.

“Totenhemi duhet t’i bëjë llogaritë me forcën sulmuese të Juves, – thotë Alegri, në prag të duelit të madh në “Uembli”, – Kam besim tek Higuaini, ndërsa Dibala është i ri dhe e merr veten shpejt. Nuk shoh ndonjë arsye që ata të mos e luajnë këtë ndeshje të madhe”. “Zonja e Vjetër” nuk është se bindi shumë në sfidën e parë të Championsit në Torino (2-2), edhe pse ishte në avantazh të dy golave, veçse ka aq përvojë sa të paraqitet krejt ndryshe këtë herë.

Xhanluixhi Bufon vlerëson aspektin historik, por edhe emocional të ndeshjes. “Do të luajmë në një teatër të famshëm të futbollit si “Uembli”, – tha ai, – dhe ndaj një skuadre vërtet shumë të fortë, me stil loje të përcaktuar mirë, sulmues. Është e vërtetë që na pret një “malore”, por më mirë kështu sesa një “tatëpjetë”, kur gjërat duken si të përfunduara”.

Po Totenhemi çfarë pritet të bëjë? Pavarësisht dominimit që pati në stadiumin “Juventus”, skuadra londineze ende duhet të tregojë veten, për shkak të historisë jo aq të madhe në Europë, sidomos në Champions.

Sfidanti.al