Mesi: Vërtet luaj më prapa, por sërish shënoj gola

E cilësojnë si më të madhin e botës, por jo sepse shënon shumë gola. Lionel Mesi është numri 1 për gjithçka që bën në fushë, ndërsa këtë sezon ka bërë edhe disa hapa prapa. Do të thotë se luan pak më larg portës, sipas skemave të trajnerit Ernesto Valverde, veçse kjo nuk ka qenë aspak një pengesë.

“Ka mundësi që vitin e fundit të jem tërhequr pak më prapa, – tha ylli i Barcelonës, – në të kaluarën, kam qenë në tri të katërtat e fushës. Gjithsesi, e vërteta është që vazhdoj të shënoj gola. Edhe në këtë pozicion, mendimi im është që të shkoj përpara drejt zonës për të shënuar”.

Mesi ka shënuar 32 rrjeta në 41 ndeshje këtë sezon, nga të cilat 24 në La Liga, ku ka luajtur 27 takime. Me golin ndaj Atletikos thuajse i siguroi Barcelonës titullin, ndërsa tani është radha e Championsit. “Është një kompeticion që më pëlqen shumë dhe ku dua të luaj, – shprehet argjentinasi, – kujtoj golat në finale, por edhe golat në gjysmëfinalet ndaj Realit”. Barça e luan javën tjetër ndeshjen e kthimit ndaj Çelsit, në “Kamp Nou”, pas barazimit 1-1 në Londër.

Sfidanti.al