Në një moment shumë delikat kur klubi më i titulluar në vend duhet të ndërtojë të ardhmen edhe pse mes shumë pikëpyetjeve, në skenë del ndoshta emri më pak i kuotuar për të zgjidhur problemet e suadrës. Tirana bashkon rrugët me Bledi Shkëmbin pasi i ka ndarë me shumë titullarë të sezonit të kaluar, duke dhënë sinjalin e qartë se “shtëpia do të rrëzohet nga themelet”. Por a është Shkëmbi njeriu i duhur për të nisur një cikël të ri, aq më tepër në një çast kritik për skuadrën dhe klubin që vetëm pak javë më parë rrezikoi të kalonte në duart e një personi tjetër për shkak të borxheve të mëdha që ka aklumuluar presidenca aktuale? A ka treguar Shkëmbi eksperiencë dhe pjekuri në menaxhimin e skuadrave me probleme? CV-ja e tij thotë të kundërtën dhe rasti më i fundit është ai i Dinamos ku nisi një oprojekt të ri dhe shumë ambicioz por nuk arriti ta vazhdonte me sukses. Shembuj të tjerë janë edhe Teuta apo skuadra e 19-vjeçarëve të Kombëtares ku ish-mesfushori korçar qëndroi në stol vetëm disa javë. Sot Tirana është në një udhëkryq shumë të madh dhe timonieri i ri duhet të bëjë shumë më shumë se sa ka bërë me skuadrat e tij paraardhëse për të mos hyrë në librin e historisë si njeriu që e zhyti edhe më shumë klubin bardheblu që ka një shans të artë për të marrë pak oksigjen, pjesëmarrjen në kupat e Europës, dhuratë si për ironi, pikërisht nga Skënderbeu i Shkëmbit.
Nga Pirro Bardhyli