Tirana zyrtarizon Erando Karabecin

Tirana prezanton blerjen e saj më të re. Erando Karabeci rikthehet në klubin bardheblu, aty ku ka luajtur për shumë vite, duke fituar disa trofe. “KF Tirana njofton se mesfushori tiranas rikthehet aty ku filloi gjithçka, për të veshur edhe një herë fanellën që ka mbajtur me krenari për më shumë se një dekadë. Me mbi 275 ndeshje zyrtare me Tiranën, si edhe disa trofe të fituar, Karabeci është jo vetëm një veteran, por një simbol i përkushtimit dhe i shpirtit bardheblu.

Pas eksperiencave të tij të fundit, ai rikthehet për të mbyllur karrierën aty ku e nisi, në shtëpi, pranë tifozëve që e kanë përkrahur gjithmonë dhe klubit që i dha emër. Me përvojën e tij të pasur, ai do të ketë një rol të dyfishtë në skuadër: si lojtar aktiv në fushë dhe si një udhëheqës për brezin e ri të futbollistëve që po rriten brenda klubit.

Mirësevjen në shtëpi, Erando! Tani është koha për të shkruar faqen e fundit të një kapitulli të paharrueshëm, me fanellën bardheblu”, shkruhet në njoftimin e klubit.

Vetë lojtari ka një mesazh për tifozët:  “Tirana nuk ka qenë kurrë thjesht një klub për mua, ka qenë shtëpia ime, familja ime, dhe pjesë e shpirtit tim. Është emocion i veçantë të rikthehem këtu për të përmbyllur një udhëtim që e kam jetuar me zemër. Vij me dëshirën për të dhënë gjithçka edhe në këtë fazë të fundit të karrierës sime, por edhe për të ndihmuar të rinjtë që po rriten në këtë klub me traditë. Tifozëve bardheblu, ju falënderoj nga zemra për dashurinë e përjetshme”, ka thënë Erando Karabeci.

sfidanti.al