Tirana nuk do të bëjë merkato

Merkato mund të jetë e rëndësishme për të gjithë skuadrat e Superiores, por jo për Tiranën. Jo se bardheblutë nuk kanë nevojë për përforcime por situata e krijuar për shkak të detyrimeve të papaguar ndaj katër lojtarëve Tim Vairinen, Asion Daja, Edon Hasani dhe Jocelyn Behiratche kërkon një sforco që për momentin shkon përtej mundësive financiare të klubit. Në këtë pikë, kur ka kaluar java e parë e merkatos, klubi ende nuk ka marrë një vendim nëse do të bëjë pagesën në këtë moment, apo do të presë verën. Në të dy hipotezat situata ka kostot e saj, shtrëngimin financar në këtë moment dhe mungesën e alternativave për Ahamatajn nëse pritet qershori.

Situata nuk është e thjeshtë sepse nga bardheblutë është larguar goleadori Florent Hasani, duke lënë një boshllëk të madh përpara. Ahamtaj ka kërkuar një zëvendësues për rolin, por ndërkohë ka provuar ti japë afrimitet me portën Latifit e Abazajt. Nga ana tjetër në dalje është edhe mesfushori Hila. Riintegrimi në grup nuk po funksionon dhe lojtari duket një hap pranë firmës me Elbasanin. Tirana ka hequr dorë nga mesfushori, që sipas të gjitha gjasave i ka dhënë fund  aventurës në kryeqytet. Çështja është se nëse nuk bëhet likuidimi i detyrimeve asnjë lojtar nuk mund të afrohet dhe te Tirana po e mendojnë seriozisht të shkojnë përpara deri në fund të sezonit me grupin aktual. Vendimtare do të jenë bisedat konstruktive me teknikun në ditët në vijim, sepse ndonjë përforcim Ahmataj edhe do ta donte, por në këtë moment është e rëndësishme të ndiqen nevojat e klubit, që duhet të vendosë në peshore sforcimin financiar tani apo dëmin e mundshëm në rezultate që mund të sjellë mungesa e përforcimeve deri në verë.

 

sfidanti.al