Tiranës i duhet psikolog ose të mendojë ndonjë rit fetar për të shpëtuar nga “drama” e madhe e fundtabelës, sepse lojtarët janë të bllokuar. Pasndeshja derbi ka treguar qartë se skuadra është në “greminë”. “Penicilinat” e Shkëmbit patën efekt vetëm pak javë.
Skuadra, në derbi, jo vetëm që nuk diti të fitonte, por as të mbante rezultatin 1-0. Një gjendje që e rëndon më shumë atmosferën toksike te bardheblutë, pasi janë të parafundit dhe shohin makthet e 2017-tës. Pas, Dinamos, në analizën para të gjithë lojtarëve, Shkëmbi ka qenë shumë i qartë dhe shumë i ashpër.
Sipas tij, skuadra nuk ka lider, është e bllokuar psikologjikisht, i mungon egoja. Shpëtimi i vetëm mbetet ose një psikolog ose ndonjë rit fetar, sepse reagimi nuk po duket. Trajneri korçar, por edhe drejtuesit e skuadrës, nuk i japin shpjegim kësaj apatie, sepse ekipi u shthur pa asnjë logjikë dhe nuk reagoi në asnjë minutë. Dhe frika është që kjo situatë mund të vazhdojë.
Tirana është një nga skuadrat më të çuditshme në kampionat, pasi në avantazh ka qenë në 13 takime, por këtë epërsi nuk e ka materializuar me fitore. Janë vetëm 4 nga 13 ndeshje kur bardheblutë kanë shënuar të parët, dhe këtë rezultat e kanë mbajtur deri në fund. Në gjashtë sfida janë barazuar rrugës nga kundërshtari, ndërsa në tre takime të tjera kanë janë përmbysur. Nga 39 pikë të mundshme që i kishin në dorë, kanë marrë vetëm 18, me një mesatare 1.38 pikësh për lojë.
Më e rëndë është situata në rastin kur skuadra ka qenë në disavantazh. Nga 12 takime, që grupi është gjendur në humbje, Tirana vetëm një herë ka mundur të kthejë rezultatin. Në tri raste ka barazuar, ndërsa në tetë të tjera ka shijuar humbjen. Gjashtë pikë të grumbulluara dhe me mesatare vetëm 0.5 për sfidë. Kujtojmë se Tirana mban aktualisht vendin e parafundit në renditjen e përgjithshme. Laçi ka 5 pikë më tepër dhe renditet në vendin e gjashtë dhe sfida me Laçin mbetet vendimtare për mbijetesën në Superiore.
sfidanti.al