Tijjani Reijnders rinovon me Milanin deri në 2030

Mes të paktave pika të ndritshme në sezonin e zymtë të Milanit është pa dyshim Tijjani Reijnders. Mesfushori holandez, që pa dyshim ka qenë lojtari më i mirë i skuadrës këtë sezon për nga performanca dhe gjithashtu golashënuesi më i mirë (bashkë me Pulisic) me 12 gola sezonalë, ka mbërritur pasdite në Casa Milan për të firmosur rinovimin e kontratës, e cila do ta mbajë te kuqezinjtë deri më 30 qershor 2030.

“Jam shumë i lumtur! Jam krenar. Milani për mua është si një shtëpi e dytë”, tha ai për gazetarët në garazhin e selisë së klubit.

Reijnders, i cili më parë kishte një marrëveshje që skadonte në 2028, tani do të përfitojë një pagë prej rreth 3.5 milionë euro neto në sezon plus bonuse, më shumë se dyfishi i pagës aktuale (1.7 milionë euro). Holandezi u transferua te Milani në verën e vitit 2023 nga AZ Alkmaar për 20.5 milionë euro dhe këtë sezon ka shpërthyer në nivel personal, duke bërë që vlera e tij të dyfishohet. Performancat e tij të shkëlqyera kanë tërhequr vëmendjen e disa klubeve europiane, përfshirë Chelsea. Megjithatë, Milani nuk dëshiron të heqë dorë prej tij dhe do ta lërë të largohet vetëm në rast të një oferte të parefuzueshme.

sfidanti.al