Tirana po vazhdon përgatitjet në fazën përgatitore që po zhvillon në Turqi. Problemi kryesor i bardhebluve mbetet fakti se kur do të kthehet Emanuel Ernest. Sulmuesi kryesor i skuadrës së kampionatit të fundit, ende vuan operacionin në shpatull dhe nuk është kthyer të luajë në fushën e lojës. Edhe në miqësoren e parë në tokën greke, ai që luajti si titullar ishte lojtari në provë “Bori”. Ernest nuk ka luajtur as në Fushë-Krujë dhe kundër Lirisë së Prizrenit. Te Tirana duan që ai të jetë i gatshëm për ndeshjen e parë të kampionatit ndaj Bylisit, por kjo është vetëm një hipotezë.
Lojtari vazhdon të stërvitet, por nuk ka ritmin e lojës dhe rrezikon që të mos luajë deri në shtator. Një siklet më vete për Vangjel Milen, i cili kërkon një skuadër të plotë dhe një qendërsulmues si Ernest është i domosdoshëm. Tirana nuk ka vetëm Ernestin të dëmtuar ose jo gati për të luajtur nga minuta e parë. Një tjetër futbollist i dëmtuar është Qëndrim Ismajli. Lojtari ka probleme në shpinë. Për momentin ka ndërhyrë një ortopedoradiolog për të gjetur dëmtimin e futbollistit, por nuk ka tym të bardhë. Ky i fundit duket se e ka humbur sërish nisjen e kampionatit.
Prej janarit 2025, lojtari është duke vuajtur dëmtime të shumta, ndërsa nuk ka luajtur qoftë edhe një minutë. Po kështu, ai nuk udhëtoi as Greqi me skuadrën, ndërsa pritet të riaftësohet për të qenë në fushën e stërvitjes. I fundit është Aldi Gjumsi. “Motori” i krahut vazhdon riaftësimin nga operacioni në shpatull dhe me shumë mundësi do të humbë nisjen e kampionatit. Tre lojtarë të rëndësishëm, shto këtu edhe Abel Abah, tregon se te Tirana numrat mungojnë. Tirana për momentin nuk ka një qendërsulmues klasik, ndërsa deri tani ka afruar në repartin e avancuar Patsatsiasin, Tabekun, Taren dhe Oluvaborin. Përveç Tares dhe Oluvaborit, të gjithë lojtarët e tjerë luajnë në krah apo pas sulmuesve.
sfidanti.al