Tifozët perëndimorë ankohen se po rrinë në radhë në Katar!

Në të vërtetë nuk i urohet askujt që të lodhet e të këputet ndërsa shkon diku për qejf. Kështu po u ndodh mjaft tifozëve perëndimorë (por, edhe të tjerëve) që kanë mbërritur në Katar për të ndjekur finalet e Kupës së Botës. Mediat britanike ankohen se qindra e qindra përkrahës janë detyruar të rrinë në radhë për të hyrë në qendrat e tifozëve, të cilat janë hapur me rreth 30 minuta vonesë, ndërsa nuk kanë pasur mundësi të blejnë shishe me ujë aty pranë me temperaturat që kanë arritur në 31 gradë celsius.

Keqardhje vërtet, ndonëse ne si shqiptarë e dimë se çfarë do të thotë radhë, e kemi mbajtur gjithë jetën dhe vazhdojmë shpesh ta mbajmë, qoftë edhe virtualisht kur duhet të mbyllin ndonjë punë me shtetin, si gjyqe, hipoteka apo të tjera si këto. Kështu si shqiptarët janë mësuar edhe shumica e njerëzve në të gjithë botën, në Azi, Afrikë apo Amerikën e Jugut, por edhe në mjaft vende të Ballkanit apo Europës Lindore. Thonë se vuajtja e bën njeriun më të fortë dhe më të mirë, ndërsa tifozët perëndimorë mund të arrijnë të kuptojnë sesi kanë jetuar njerëzit e tjerë në këtë rruzull. Nuk thonë kot se çdo e keqe e ka edhe një të mirë.

Sfidanti.al