Teuta në alarm, Longo “shtrëngon frerët” e skuadrës

Humbja e thellë me Laçin ka tensionuar situatën në Durrës ku trajneri Diego Longo ka vendosur një rregjim të rreptë për ekipin durrsak në orag të sfidës me Skënderbeun. Ajo që bie më së shumti është se në seancën e fundit, italiani e ka zgjuar skuadrën shumë herët, teksa stërvitja ka nisur në orën 8:30 të mëngjesit. Pavarësisht se kjo seancë ka qenë mjaft impenjative, Longo e ka mbledhur skuadrën edhe pasdite, për të zhvilluar një tjetër seancë në orën 17:30, pra dy në ditë. Një regjim “kazerme” nga italiani, që duket se ka zgjedhur të reagojë kështu pas asaj humbjeje turpëruese ndaj Laçit, që ka fituar të gjashta sfidat e fundit përballë Teutës.

Sfida e sotme ndaj Skënderbeut kërkon me patjetër rikthim në vetvete të skuadrës, që ndaj Tiranës u pa të ishte një skuadër shumë luftarake dhe e rrezikshme, sidomos në daljet e shpejta. Gjithsesi, pas asaj ndaj Laçit, duhet thënë se mbrojtja është reparti, ku kërkohen riparime, pasi në dy ndeshje janë pësuar 8 gola. Ndërkohë, Teuta ka arritur të shënojë edhe 3 gola. Laçi ishte kundërshtari që nxori në pah problemet e durrsakëve në prapavijë.

sfidanti.al