Askush nuk ishte i interesuar për të, pra as Napoli, Dortmundi apo Sportingu i Lisbonës. Për Kristiano Ronaldon pati vetëm një ofertë, siç thuhet nga mediat, dhe kjo erdhi nga Arabia Saudite, por nuk u konsiderua nga superylli portugez. Së fundmi, trajneri i tij tek Mançester Junajtidi, Erik Ten Hag, paska vendosur “veton” për të mos lejuar largimin e CR7-ës. “Deili Meil” shkruan se tekniku holandez u ka thënë drejtuesve se ka nevojë në ekip për lojtarë cilësorë, ndaj edhe Kristiano nuk mund të lejohet që të ikë. Rroga e tij është e madhe, por edhe të ardhurat e klubit nga ndikimi i Ronaldos po ashtu janë të rëndësishme. Në aspektin sportiv, superylli duket një “i burgosur luksi” në “Old Traford”. Së pari, sepse koha e tij e lojës është e kufizuar dhe kështu pritet që të jetë edhe gjatë sezonit, pra ai nuk mund të ndjekë rekordin e tij të golave. Po ashtu, do të jetë i detyruar të luajë në Ligën e Europës, ndërsa rivali Lionel Mesi është në Champions.
Sfidanti.al