Këtij kampionatit tonë të futbollit, që na thonë çdo ditë se është edhe më i miri në Europë, tani në fakt është e vështirë t’ia bësh llogaritë. Tiranës i rezistoi Bylisi deri në minutën e 101-të dhe e humbi vendin e parë në renditje, ndërsa Vllaznia nuk e mundi dot Laçin në shtëpi dhe tashmë nuk është më as në zonën Euro. Kështu, për pjesën më të madhe të 10 skuadrave që përbëjnë kategorinë tonë Superiore do të nevojiten 90 minutat e fundit, për të sqaruar të gjithë sezonin. Pra, nëse ende ekziston logjika, ditën e hënë, që është edhe dita e mbylljes, kushdo duhet të luajë për veten, gjë që do i lërë në plan të dytë aleancat e vjetra apo shoqëritë. Ndoshta për këtë arsye, ky është një nga kampionatet më interesantë, të paktën në dekadën e fundit. Asnjëherë më parë nuk kishim parë të lirohej masivisht nga këto varësi tradicionale dhe tani, “dita e gjykimit” është vërtetë për t’u ndjekur.
Ndërsa më pas vjen periudha e plazhit dhe të gjithë do të jenë në garë me kohën, për të prishur atë që kanë ndërtuar me një thes para verën e kaluar. Një pjesë e futbollistëve i kanë bërë gati bagazhet dhe kanë prerë diku vetëm një biletë vajtje, ndërsa drejtuesit duhet të mendojnë për t’i zëvendësuar, por në të njëjtën kohë edhe për t’i dedikuar buzëqeshje të përzemërta Dukës, që janë shumë të rëndësishme për sezonin tjetër. Meqë ra fjala, këto të fundit janë jetike për të gjithë ne, nëse do të duam sërish të kemi një kampionat të ngjashëm, me të njëjtin rivalitet dhe përsëri më të mirin në Europë.