“Tangoja” e rivalëve në konferenca, Starova i irrituar me arbitrin!

Një valle e vërtetë “shpatash” në Superligën shqiptare këtë sezon. Katër skuadra pretendojnë titullin, dhe kuriozitet kanë ndeshjet në fushë, por edhe deklaratat e trajnerëve dhe presidentëve pas tyre. Nga katër njerëzit e stolit që ishin të fundit në fushë, “koloritin” më të fortë e pati Sulejman Starova. “Nuk desha ta filloj nga gjyqtarët, por irritimi është i ligjshëm, – tha trajneri i Partizanit, – kemi bërë edhe ne gabimet tona, sepse kemi humbur rastet, por vendimet e gjyqtarit ishin të pafalshme, të pafalshme”. Starova gjykon se ndaj Kukësit do të ishte luajtur ndryshe nëse nuk do të ishte anuluar goli që në fillim. “Ndaj rivalëve kemi dominuar, me përjashtim të Tiranës, ndonëse luajmë në Elbasan, – është analiza e Starovës, – sadisfaksionin do ta marrim, në mos sot, nesër”.
Më “i urtë” Ernest Gjoka i Kukësit që nuk deshi të komentonte vendimet e gjyqtarëve, por u shpreh i kënaqur që mori një pikë në fushën e një rivali. “Të tillë rezultate do të doja edhe në ndeshje të tjera të ngjashme me këtë, – tha ai, – Partizani luajti mirë, por edhe ne patëm rastet tona. Jemi pretendentë për titull”.
I zhgënjyer, por sërish optimist Mirel Josa. “E vërtetë që humbëm, por pësuam gol vetëm me dy gjuajtje që na erdhën në portë, – kishim 3 raste të pastra për shënim, por ndryshe nga herët e tjera, nuk i shfrytëzuam. Duhej të bënim më shumë me Takun dhe Vucajn. Jam i kënaqur me lojtarët që luajtën për herë të parë”. Trajneri i Flamurtarit, Mezani, u shpreh se “ekipi ynë tregoi karakter, ndërsa mungesa pati edhe Tirana, por edhe ne”. Përsa i përket përforcimeve, ai refuzoi duke i rënë shkurt: “Kënaqem me këta lojtarë që kam”.

Sfidanti.al