Nxihet Tirana, “senatorët” nuk janë më të besueshëm

Tirana e tanishme duket se po mundohet të ndryshojë gjithçka nga skuadrat që ka pasur në dispozicion vitet e fundit dhe që për hir të së vërtetës, duhet thënë se në këtë periudhë, nuk ka qenë asnjëherë e suksesshme. Bardheblutë po hyjnë në vitin e pestë pa fituar qoftë edhe një kupë të Shqipërisë, nuk na përfaqësojnë më në arenën ndërkombëtare, ndërsa tani po mundohet të ndryshojë stilin e lojës, por më parë ka ndryshuar ngjyrë. Tani flitet për Moses, Mervile, Sise, Ruben Akuak, madje edhe trajneri Josa përgjigjet me shumë dëshirë, kur gazetarët shfaqin interes pikërisht për futbollistët e mbërritur nga vende të ndryshme të Afrikës.

Dje në Vlorë, Tirana tentoi ta dominonte takimin dhe ndoshta meritonte diçka më shumë nga ai 90 minutësh, por gjithsesi, alibia e humbjes ishte e gatshme. Ekipi 24 herë kampion i vendit kishte mungesa të rëndësishme, duke mos e konsideruar më faktin, që pas shpinës së teknikut janë gjithmonë të gatshëm Muzaka, Gilman Lika, Ansi Nika i transferuar me bujë nga Kukësi, ndërkohë që edhe Vucaj nuk është më zgjedhje e parë, por thjeshtë alternativë për raste emergjence. Pra “senatorët” kanë humbur terren, ndërsa tani duhet pritur, nëse variant i ri i Tiranës bardh e zi, do të jetë i sukseshëm.

Sfidanti.al