Po hapen “dyert e jetës” për Azdren Llullakun. Sulmuesi shqiptar nga Kosova mesa duket po hedh një hap të madh në karrierë, dhe mund të shkojë në një nga dy klubet e mëdhenj të Rumanisë. Pra, për të do të jetë fanela e Steauas, ish-kampione e Europës, apo e Dinamos së Bukureshtit? “Duroni, – thotë djaloshi që ka emrin e njërit prej poetëve rilindas (nga ata të vërtetët), – prisni dhe do të flasim pas dy javësh”. Pra, çështja e transferimit të futbollistit të kombëtares mund të vendoset në “dritaren” e janarit, ndonëse mundet që ai ta mbyllë sezonin tek Gaz Metan Mediash, ku po luan me shumë sukses këtë sezon.
Llullaku ka realizuar 16 gola në 19 ndeshje, duke qenë shënuesi më i mirë i Ligës së Parë rumune, dhe ka tërhequr vëmendjen e klubeve të mëdhenj. “Llullaku është nën kontratë, – thotë trajneri i Dinamos së Bukureshtit, Ioan Andone, – e kam thënë edhe më parë se çdo trajner do ta donte. Më pëlqente edhe kur nuk po shkëlqente, jo më tani”. Andone e provoi vetë në humbjen 0-4 me Gaz Metanin. Më i ftohtë trajneri i Steauas, Laurenciu Regenkampf. “Llullaku është i rëndësishëm, por të shohim nëse do ta tentojmë apo jo, – thotë ai, – do të ketë edhe oferta të tjera, për më tepër në krahun e majtë, kemi dy lojtarë për të cilët investuam 2.5 milionë euro”.