Kur fiton dhe kualifikohesh, zakonisht nuk ka kritika. Uruguaj, në të kundërt, duhet të ketë marrë shumë pas paraqitjes tepër të zbehtë ndaj Arabisë Saudite, edhe pse objektivin e realizoi plotësisht, madje i bëri nder edhe Rusisë, duke e kualifikuar përfundimisht edhe atë.
Pritej shumë më tepër nga një ekip që në Botërorë vjen traditën e fitimit të dy kupave të botës, dhe të vendit të katërt në Afrikën e Jugut në 2010. Uruguaj nuk pati fuqi dhe lojë për të kënaqur, dhe e rrezikoi veten deri në fund.
Për fat, Luis Suarez e shënoi golin e tij, që në minutën e 23-të të pjesës së parë, duke e festuar siç duhet ndeshjen numër 100 për ekipin përfaqësues. Problemi i ekipit të trajnerit Tabarez ishte që nuk pati mesfushë dhe lojë për të mbështetur dy nga sulmuesit më të mirë të botës, Suarezin dhe Edinson Kavanin.
Kur shënon vetëm një gol ndaj ekipit deri tani më të dobët të Botërorit si Arabisa Saudite, patjetër që tifozët ndihen shumë të shqetësuar. Me po këtë rezultat amerikanojugorët kaluan edhe Egjiptin, dhe sërish me goditje standarde, por ku i dihet, ndoshta i kanë lënë golat për në fazën e mëvonshme. Pas dy ndeshjeve të luajtura deri tani nga secila skuadër, Rusia dhe Uruguaj kanë nga 6 pikë, ndërsa Egjipti dhe Arabia Saudite janë të eleminuar pa asnjë pikë.
Sfidanti.al