Strakosha, Broja e Bajrami, e ardhmja “po troket” për yjet e kombëtares!

Mund të thuhet se është rritur në këtë klub. Tomas Strakosha ka qenë për shumë vjet një bir i Lacios, por edhe djali i shtëpisë mund të ketë momentin për t’u larguar. Kështu pritet të ndodhë pasi portieri 26-vjeçar nuk ka pranuar të rinovojë kontratën e do të largohet me parametër zero në fund të sezonit. Portieri i kombëtares fiton 1.2 milionë euro në sezon, pas pagimit të taksave, dhe pa llogaritur shpërblimet. Me gjasë, klubi mund t’i ketë kërkuar ulje të rrogës, ose gardiani kuqezi mund të ketë kërkuar më shumë sesa paga aktuale, ndaj edhe palët nuk kanë rënë dakord.

Ndërkaq, admiruesit për Armando Brojën po shtohen. Njukasëlli ofron 33 milionë paundë stërlina për kartonin e 20-vjeçarit, që do të thotë rreth 40 milionë euro, duke e rritur shumë atë që vetë Sauthemptoni thuhet se është gati t’i paguajë Çelsit. Për Brojën, interesohen edhe Lids Junajtidi apo Uest Hemi, të paktën sipas mediave angleze.

Ndryshim pritet edhe për Nedim Bajramin. Organizatori i Empolit pritet të kalojë në një tjetër skuadër të Serisë A, dhe mes klubeve të interesuar është edhe Milani, por edhe Napoli, Lacio apo Sasuolo. Futbollisti 22-vjeçar i kombëtares ka shënuar 6 gola e ka dhënë 2 asistë në 21 ndeshje në Serinë A, nga të cilat 13 ka qenë titullar. Empoli e mori për vetëm 800 mijë euro, ndërsa tani mund të fitojë të paktën 10 milionë, shifër që mund të rritet nga konkurrenca e ashpër për shërbimet e Bajramit.

Sfidanti.al